DEMO – faqe testimi. Të dhënat mund të fshihen.

Rregullat dhe privatësia

Fol për Tetovën është hapësirë ku banorët e Tetovës dhe të fshatrave përreth diskutojnë, propozojnë dhe votojnë për çështjet e qytetit. Faqen e mban Shoqata PËR TETOVËN. Kushdo mund të lexojë; për të shkruar, mbështetur ose votuar duhet një llogari e verifikuar.

Rregullat

  1. Një person, një llogari. Çdo llogari verifikohet me një numër telefoni nga Maqedonia e Veriut (+389). Llogaritë e dyfishta ose në emër të dikujt tjetër bllokohen.
  2. Me respekt. Kritikoni idetë, jo njerëzit. Nuk lejohen fyerjet, kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes, as sulmet ndaj kujtdo për shkak të përkatësisë etnike, fesë, gjinisë ose bindjeve.
  3. Me të vërtetën. Mos publikoni informacione që i dini se janë të rreme. Kur flisni për fakte, tregoni burimin kur mundeni.
  4. Privatësia e të tjerëve. Mos publikoni numra telefoni, adresa apo të dhëna të tjera personale të të tjerëve, as fotografi të njerëzve pa lejen e tyre.
  5. Për Tetovën. Temat duhet të kenë lidhje me qytetin dhe fshatrat e tij. Zgjidhni kategorinë dhe zonën e duhur, dhe kërkoni para se të hapni një temë që ekziston.
  6. Pa reklama dhe pa spam. Nuk lejohen reklamat komerciale, mesazhet e përsëritura dhe lidhjet e dyshimta.
  7. Fotografi të veta. Ngarkoni vetëm fotografi që i keni bërë vetë ose që keni të drejtë t’i përdorni.
  8. Vota e lirë. Mbështetja dhe vota janë personale. Mos u bëni presion të tjerëve si të votojnë dhe mos e jepni llogarinë tuaj në përdorim të dikujt tjetër.

Moderimi

  • Çdo përdorues mund ta raportojë një temë ose koment me butonin Raporto. Kur e raportojnë 3 persona të ndryshëm, ajo fshihet përkohësisht derisa ta shqyrtojë një moderator.
  • Moderatorët fshehin përmbajtjen që i shkel këto rregulla. Për shkelje të rënda ose të përsëritura llogaria mund të bllokohet.
  • Autori nuk e sheh se kush e ka raportuar.
  • Nëse mendoni se një vendim ishte i gabuar, shkruani te info@pertetoven.org.

Privatësia

Ruajmë vetëm atë që na duhet që forumi të funksionojë:

  • Emri i përdoruesit – është publik dhe shfaqet te postimet tuaja.
  • Emaili – vetëm për njoftime (miratimi i llogarisë, përgjigjet, rivendosja e fjalëkalimit). Nuk shfaqet publikisht. Njoftimet mund t’i ndryshoni ose t’i ndalni te profili juaj.
  • Fjalëkalimi – ruhet vetëm i enkriptuar; askush, as ne, nuk mund ta lexojë.
  • Numri i telefonit – vetëm që të ketë një llogari për person. Nuk shfaqet publikisht dhe nuk ia japim askujt; e shohin vetëm moderatorët.

Temat, komentet, propozimet dhe fotografitë që publikoni janë publike për këdo. Nga fotografitë i heqim të dhënat e fshehura (p.sh. vendndodhjen GPS) para publikimit. Te pëlqimet 👍 dhe mbështetjet e propozimeve shfaqet vetëm numri, jo emrat. Votimet janë të fshehta: ruajmë vetëm faktin që keni votuar, jo se për çfarë keni votuar.

Faqja përdor vetëm një cookie për t’ju mbajtur të kyçur – pa reklama dhe pa programe ndjekjeje. Serveri mban për siguri regjistra teknikë (adresa IP, faqet e hapura) për 14 ditë. Hartat ngarkohen nga OpenFreeMap, ndërsa emailet dërgohen përmes Google Workspace.

Fshirja e llogarisë: shkruani nga emaili i llogarisë te info@pertetoven.org. E fshijmë emailin, numrin e telefonit dhe fjalëkalimin; postimet mbeten me emrin «përdorues i fshirë», përveç nëse kërkoni të fshihen edhe ato.

Përditësuar më 18 tetor 2026.